“Xhon Ibrahimoviç”, mbrojtësi i Anglisë ngjan me Zllatanin!

Një “bir” i arteve marciale si Zllatan Ibrahimoviç nuk ka pasur të ngjarë në fushat e futbollit, me stilin e tij të shkëlqyer dhe akrobatik. Golat nga distanca me roveshatë, rrjeta të shënuara si me “kung fu”, me thembër në ajër e në kërcim, apo zotërimi i topit duke fluturuar si “shqiponjë” kanë qenë “marka” e tij e paimitueshme as nga “mbretërit” Mesi e Ronaldo.

Gjithsesi, këtë “fluturimin si shqiponjë” për të zotëruar topin arriti ta imitonte mbrojtësi i Anglisë, Xhon Stouns, siç e tregojnë fotot e botuara nga “Deili Meil” (Daily Mail). Stouns, lojtar i Mançester Sitit, tregoi përgatitje të lartë atletike dhe gjimnastikore, duke kërcyer në ajër e duke shpalosur këmbën e djathtë lart për të zotëruar një top, po ashtu siç ka bërë shpesh herë Ibrahimoviçi. Ky veprim nuk ra shumë në sy, pasi u krye jo në ndeshje, por gjatë stërvitjeve përpara sfidës ndaj Kroacisë.

Sfidanti.al