Verprim mjeshtëror i Perezit: E la Solarin me “gisht në gojë”!

Reali i Madridit tanimë ka një trajner të vjetër-të ri, Zinedin Zidane, që brenda dy vitesh e gjysmë i solli klubit “mbretëror” tre kupa kampioni të Evropës me radhë. Por, Zidane u largua nga Reali vetëm dhjetë ditë mbasi fitoi “Veshgjatin” e tretë evropian në Kiev, kurse tani, mbas aventurave të dështuara të Hulen Lopetegit dhe Santiago Solarit, ai u kthye edhe një herë tjetër, pa mbushur vitin, në “Santiago Bernabe”.
Santiago Solari në këtë mënyrë pagoi faturën e katastrofës që përjetoi Reali gjatë javës së kaluar, kur, mbas tri humbjeve që pësoi, dy nga Barcelona, ky klub mbeti me “gisht në gojë”, pra pa asnjë trofe këtë sezon. Kështu, Solari u detyrua të largohet, megjithëse kontrata e tij kishte një kohëzgjatje deri më 2021.
Por, me “gisht në gojë” mbeti edhe vetë Solari, si pasojë e veprimit të zgjuar mjeshtëror të presidentit të klubit, Florentino Perez, që, mund të thuash, se e “mashtroi” bukur trajnerin argjentinas. Perezi, në fakt, nuk i bëri shkarkim klasik Solarit, duke pasur parasysh se ai ishte trajner i përkohshëm deri në fund të sezonit dhe tani ai i ofroi atij që të kthehet në krye të ekipit B të Realit që me fjalë të tjera do të thotë se Perezi nuk ka asnjë detyrim financiar ndaj Solarit, qoftë edhe nëse ai nuk do ta pranojë detyrën që ai ka mbajtur edhe para se të vinte në krye të ekipit A të Realit.
Duket qartë se Florentino Perezi tani ka vënë mend në krahasim me të kaluarën, kur, për shkak të llogaritjeve të bëra keq, ka qenë i detyruar t’u paguajë zhdëmtime shumë të mëdha financare trajnerëve të shkarkuar para kohe.
Sfidanti.al