Vengeri bën një parashikim interesant për të ardhmen e futbollit evropian

Trajneri francez në fjalë që po largohet nga drejtimi i Arsenalit mbas 22 vitesh qëndrimi, thotë se, brenda pak viteve, në futbollin evropian do të bëhen ndryshime të mëdha. “Një ndryshim i madh do të bëhet, brenda pak viteve të ardhshëm. Do të kemi një ligë të përgjithshme evropiane, ndeshjet e së cilës do të luhen në fundjavë, kurse ndeshjet e kampionateve do të luhen të martave dhe të mërkurave.

Ky është hapi i ri i radhës që do të bëjë futbolli evropian dhe kjo gjë do të ndodhë në një të ardhme të afërt, duke qenë se kjo është e vetmja mënyrë që ligat e tjera të mund të konkurrojnë me Premier Ligën”, tha Vengeri, sipas të cilit, klubet kryesorë të Evropës janë të pakënaqur nga shumat e parave që ata marrin nga të drejtat televizive, për shkak të konkurrimit të dobët në kampionate.

“Ndryshimet janë të pashmangshme. Klubet e mëdhenj kanë të drejtë, kur thonë se kur luajnë dy ekipe të dobët, pakkush i sheh ata. Njerëzit duan të shohin ndeshje cilësore, kurse klubet e mëdhenj janë të detyruar që t’i ndajnë paratë me klubet e vegjël. Për këtë arsye, unë mendoj se duhet të krijohet një ligë e përgjitshme evropiane, ku të luajnë ekipet më të mirë të pesë ligave më të forta evropiane”, vuri në dukje Vengeri.
Sfidanti.al