Telashe për Barcelonën; një email mund ta dënojë për Grizmanin

Barcelona mund të ndëshkohet për cështjen Grizman. E përditshmja ‘El Mundo’ zbuloi një email që duket se i jep të drejtë Atletiko Madrid në pretendimet e tij për këtë histori. Drejtuesit e Atletikos pasi Barcelona pagoi klauzolën prej 120 milionë Eurosh për Grizman deklaruan se katalanasit e arritën akordin me futbollistin para 1 korrikut kur klauzola e francezit ishte ende 200 milionë Euro, kështu që ata kërkuan që Barcelona të paguajë edhe diferencën prej 80 milionë Eurosh për sulmuesin 28 vjecar

Në fakt sipas ‘El Mundo’, zbulohet se në muajin mars, agjenti i futbollistit , Sevan Karian dërgoi një email te e motra dhe babai i futbollistit që vërteton bisedimet e fshehta mes Grizmanit dhe Barcelonës. Kjo do të thotë se Barcelona ka thyer normat e FIFA duke biseduar me francezin pa autorizimin e Los Colchoneros, ndërkohë që Grizman nuk ishte në 6 muajt e fundit të kontratës së tij me madrilenët.

Emaili ra në duart e Administratorit të Deleguar të Atletikos, Migel Anhel Hil Marin dhe në të ishin të gjitha detajet e operacionit të kalimit të Grizmanit te kampionët e Spanjës. Nëse e gjithë kjo histori do të konfirmohet, atëherë Atletiko mund të rikthehet te pretendimi i tij për 80 milionë Euro, ndërkohë që Barcelona rrezikon të ndëshkohet me bllokim të merkatos së transferimeve në 1 sesion të saj. Nga ana e saj barcelona është mbrojtur me faktin se emaili nuk ka ardhur në zyrat e saj, duke mohuar në të njëjtën kohë edhe ekzistencën e një akordi paraprak me Grizmanin

sfidanti.al