Të dhënat ‘e vjedhura’ të Barcelonës shpjegojnë gjendjen e lojtarëve; janë në 40-45% të formës ideale

Futbollistët e Barcelonës janë në një formë  të mirë me premisa të mira për rifillimin e sezonit. Kjo është ajo që rezulton nga të dhënat e grumbulluara nga stafi teknik i klubit katalanas në përfundim të ditës së parë të stërvitjes, pas dy muajsh pauzë për shkak të pandemisë coronavirus.

Rezultatet rezultojnë më të mira nga sa parashikuan përgatitësit atletikë të kampionëve të Spanjës, gjë që përbën një lajm të mirë duke qenë se skuadrën e Quique Setien e pret një fund sezoni intensiv. Të dhënat tregojnë se forma e futbollistëvë është në 40-45% të formës ideale, shifër kjo mëse e pëlqyeshme, që do të thotë se stërvitja në shtëpi u ka dhënë mundësi futbollistëve që të ruajnë një formë relativisht të mirë

Lajmet e mira nuk mungojnë për Barcelonën dhe kanë të bëjnë me peshën dhe nivelin e yndyrës në trup; lojtarët blaugrana shtuan në peshë mesatarisht 0.5-1.3  kg, kur kufiri maksimal ishte vendosur 2 kg. Përsa i përket nivelit të yndyrës u rrit mesatarisht 0.3-0.7% për një nivel të pranueshem deri në 1%.

Rënia e gjendjes aerobike është në masën rreth 40%, ndërsa humbja e elasticitetit dhe forcës muskulore është rreth 30%; edhe këto të dhëna të pranueshme që sjellin si rezultat të përgjithshëm një formë kolektive në rreth 45% të formës ideale

Por te Barcelona ka edhe lajme të këqija me protagonist Samuel Umtiti. Mbrojtësi francez vazhdon me kalvarin e dëmtimeve dhe i radhës ishte pikërisht në ditën e dytë të stërvitjeve. Vetë klubi katalanas bëri të ditur se Umtiti pësoi një dëmtim muskular në këmbën e djathtë dhe tani gjendja e tij do të monitorohet ditë pas dite.

Sfidanti.al