Tani Dani Alvesh është vërtet i lumtur: Një ëndërr, jam te Sao Paulo

‘Të ëndërrosh është e mundur, por është e mundur edhe realizimi i ëndrrave. Kur isha i vogël ëndërroja të luaja me Sao Paulon dhe Barcelonën dhe tani po bëj realitet pjesën që i mungonte kësaj ëndrre-me këto fjalë Dani Alvesh bëri të ditur rikthimin në vendlindje te skuadra e Sao Paulos të cilën e ka mbështetur me forcë kur ishte fëmijë.
Përgjigjja e klubit brazilian ishte e menjëhershme teksa i dha mesazhin e mirëpritjes: ‘Mirë se erdhe në shtëpinë tënde’.

Dani Alvesh firmosi me Sao Paulon një kontratë që skadon në dhjetor të vitit 2022 dhe do të mbajë fanelën me nr.10 për një futbollist që ka qenë më shumë se thjesht një mbrojtës krahu. Dani Alvesh është futbollisti që ka fituar më shumë trofe në historinë e futbollit. Me Copa America të fituar me Brazilin ai e coi në 43 numrin e trofeve në palmaresin e tij impresionues; 3 Champions League, 3 Botërorë për klube, 2 Kupa UEFA, 4 Superkupa Evropiane, 9 kampionate kombëtare, 8 kupa kombëtare, 7 Superkupa kombëtare në rang klubesh, ndërsa me ‘Seleçaon’ ai ka fituar 2 Kupa të Konfederatave dhe 2 Copa America.

Dani Alvesh ishte 19 vje kur la Brazilin për të luajtur në Evropë, pikërisht te Sevija në La Liga. Pas andaluzianëve ai qëndroi për 8 sezone te Barcelona me të cilën në 2009 fitoi 7 tituj brenda 1 viti kalendarik, i vetmi lojtar që e ka arritur një gjë që tillë. Në moshën 36 vjecare, Dani Alvesh ka edhe 2 objektiva për të arritur; fitimi i kampionatit brazilian dhe Kupën Libertadores.

sfidanti.al