Solskjeri zbulon njeriun “special” për rilindjen e M. Junajtidit

Ole Solskjer ktheu buzëqeshjen në fytyrat e lojtarëve të Mançester Junajtiudit, por e njëjta gjë mund të thuhet edhe për tifozët besnikë të këtij klubi që mbas kaq kohësh mund t’i gëzohen futbollit atraktiv sulmues që po luan ekipi i tyre i zemrës në drejtimin e trajnerit të ri norvegjez.
Ish-sulmuesi i legjendar i “djajve të kuq” ka lidhur bashkë gjashtë fitore në gjashtë ndeshje në krye të stafit drejtues të trajnerëve, por, megjithëse media dhe eksperët i drejtojnë në adresë të tij të gjitha lavdërimet, Solskjeri vendosi që t’i vejë pikat mbi i, duke theksuar një emër që është i rëndësishëm për ripërtëritjen e Junajtidit. Fjala është për ndihmësin e tij, Majk Filan, që ka qenë dora e djathtë e ser Aleks Fergusonit në epokën e paharruar të “djajve të kuq” dhe Solskjeri u përpoq që të sqaronte sesa ndikon prania e tij në stërvitje te lojtarët që kënaqën, duke bashkëpunuar me të.
“Majku është absolutisht i shkëlqyer. Ai na ndihmon neve shumë me përvojën, dijenitë dhe personalitetin e tij në çdo drejtim. Nuk e kam fjalën vetëm për lojtarët dhe stafin e trajnerëve, por për të gjithë ata që janë të angazhuar në klub. Me njerëz të tillë është e lehtë që në klub të krijohet një atmosferë pozitive. Majku është i rëndë për lojtarët në stërvitje, por ndërkohë ai është edhe i përzemërt”, tha Solskjeri.
Sfidanti.al