Skandal i padëgjuar në Kroaci: Rrihet trajneri i Dinamos së Zagrebit!

Trajneri i Dinamos së Zagrebit, Mario Cvitanoviç, u rrah, këto ditë, para shtëpisë vet, mbas ndeshjes që Dinamo e tij luajti me ekipin Borac të Imbriovecit në kuadrin e Kupës së Kroacisë. Cvitanoviçi u rrah, para shtëpisë së tij, rreth orës 20:00, nga dy të panjohur me fytyra të mbuluara që e goditën atë me shkopinj bejsbolli, duke i shkaktuar atij dëmtime të rënda, midis tyre edhe një thyerje të dorës. Atë e shtruan në spital, por, më vonë, e dërguan për kurim në shtëpi. Klubi i Dinamos publikoi, me këtë rast, një njoftim zyrtar:

“Dinamo e Zagrebit është kërcënuar dhe tmerruar nga një akt i tillë vandal, ndërkohë që klubi ynë e dënon me forcë sulmin fizik kundër trajnerit Cvitanoviç që mund të kishte patur pasoja tragjike. Për fat të keq, ky është vetëm një vazhdim i gjithçkaje asaj që po ndodh kohët e fundit, kur, sikurse duket qartë, po legalizohet plotësisht dhuna kundër njerëzve të klubit tonë, duke filluar nga sulmi fizik kundër këshilltarit të klubit tonë, Zdravko Mamiç (ish-president i Dinamos) në Braç, ndërsa, më pas, sulmi i armatosur dhe përpjekja për ta vrarë atë në Tomislavgrad, deri te sulmi fizik i fundit kundër trajnerit Cvitanoviç, para shtëpisë së tij”, vihet në dukje në njoftimin e Dinamos së Zagrebit.

Sfidanti.al