Si vjen puna, Modriçi viktima e parë e rregullit të ri në La Liga

Luka Modriç e mbylli para kohe ndeshjen me Selta Vigon në fushën e kësaj të fundit, pasi gjyqtari i tregoi atij kartonin e kuq më fillim të pjesës së dytë mbas sinjalizimit të sistemit VAR.

Reali, sidoqoftë, u largua me fitore 1-3 nga fusha e vështirë e stadiumit “Balaidos”, megjithëse më shumë se gjysmë ore luajti me një lojtar mangët.

Në fillim të pjesës së dytë, Modriçi bëri një ndërhyrje nga mbrapa, për të cilën gjyqtari dha faull, por jo kartonin e verdhë dhe aq më tepër atë të kuq. Por, në këtë rast ndërhyri VAR-i dhe mbas konsultimit përkatës mesfushorit kroat iu nxor kartoni i kuq që habiti shumëkënd në stadium.

Por, Modriçi, në fakt, ra viktimë e rregullit të ri që ka nisur të aplikojë La Liga, se do të dënohen rëndë ndërhyrjet nga mbrapa, më saktë pranë “thembrës së akilit” të lojtarëve, në përpjekje për t’i mbrojtur këta të fundit nga goditjet në këtë pjesë delikate të këmbëve. Në këtë mënyrë, ishte fati i keq i Modriçit që e “pësoi” i pari në kurrizin e tij këtë rregull të ri të futbollit spanjoll.

Sfidanti.al