Shkarkimi flakëron : Mauricio Sari do të mbledhë plaçkat nga Londra

Pronari i Çelsit, Roman Abramoviç, do të mund ta shfrytëzojë pauzën e ndeshjeve të përfaqësueseve që ta shkarkojë trajnerin italian Mauricio Sari, vë në dukje media angleze. Në ndeshjen e fundit, “blutë” e Londrës u mundën 2-0 në “Gudison Park” nga Evertoni, kështu që shanset e Çelsit që të dalë midis katër ekipeve të parë të Premier Ligës dhe të marrë pjesë në Ligën e ardhshme të Kampioneve, u pakësuan edhe më shumë. Në fakt, Çelsi është vetëm tri pikë larg vendit të 4-t, por forma e tij ngjall shqetësime dhe nuk sjell optimizëm.
Çelsi ka arritur të fitojë në vetëm dy nga pesë ndeshjet e fundit, ndërkohë që i vetmi shans që të fitojë ndonjë trofe këtë sezon, është Liga e Evropës, ku konkurrimi megjithatrë nuk është aspak i lehtë.
Numri i tifozëve kundër Sarit po rritet gjithnjë e më shumë, ndërkohë që edhe vetë trajneri italian e ka pranuar se ai nuk po arrin t’i motivojë lojtarët e vet. Në këto kushte, shkarkimi Sarit është gati, por problem është se kush do ta drejtojë ekipin deri në fund të sezonit.
Media angleze përmend disa emra si pasues të Sarit: ndihmësin e tij, Xhanfranko Zola, dhe Stiv Holandin që momentalisht është ndihmës i Garet Sauthgejtit në përfaqësuesen angleze.
Sfidanti.al