“Shevroleti” po prish planet e Realit te Madridit  për Nejmarin?

Superylli brazilian, Nejmar, që, verën e  kaluar, realizoi transferimin më të shtrenjtë në botë, duke kaluar nga Barcelona për te PSZH-ja, pasi kjo e fundit pagoi për të 222 milionë euro, gjatë muajve të fundit, sikurse po shkruajnë gati përditë mediume të ndryshëm në botë, po paralajmërohet si një superpërforcim i ardhshëm i Realit të Madridit. Madje, në këtë drejtim, mediumet u referohen edhe deklaratave të miqve të tij se Nejmari do të shkojë në “Santiago Bernabe”, por, sidofoqoftë, disa lajme të fundit lidhur me këtë çështje lënë të hapur mundësinë se ky futbollist brazilian është bërë pishman!

Ka kohë, në fakt, që thuhet se Nejmari është i pakënaqur në Paris, se ai konsideron se Liga e 1-rë franceze është më e dobët në krahasim me ligat e tjera më të forta evropiane, se ai ka probleme në dhomën e zhveshjes të PSZH-së që, në të shumtën e rasteve, i shkakton vetë.

Sidoqoftë, tani, po vijnë lajme që e lidhin Nejmarin me Mançester Junajtidin. Pretendohet se “Shevroleti” që është sponsor i “djajve të kuq”, do të angazhohet për sjelljen e Nejmarit në “Old Trafford”, pasi kjo kompani që synon të shtrihet edhe në tregun aziatik, sheh te Nejmari një figurë të vërtetë të përshtatshme, me reklamimin e të cilit ajo do të mund të hyjë më thellë në këtë treg me miliarda njerëz. “Shevroleti”, si sponsor i Junajtidit, i jep këtij të fundit, çdo vit, sipas marrëveshjes përkatëse, 53 milionë sterlina, kështu që, duke pasur parasysh edhe faktin se Mançesteri është një klub i pasur, atëherë, angazhimi i Nejmarit te ky klub nuk pritet të përbëjë ndonjë problem  për të.

Sfidanti.al