Setien ‘driblon’ polemikat: Messi është mirë, pjesa tjetër është spekulim

Quique Setien luan gjithcka në transfertën e së dielës të Barcelonës ndaj Villarrealit. Skuadra e tij është 4 pikë prapa Realit të Madridit dhe hija e Pimientës, trajnerit të Barcelona B mbi të është e madhe, megjithatë trajneri i skuadrës katalanase arrin të driblojë pyetjet me spec për situatën e Barcelonës ku në orët e fundit lajmi më i bujshëm ishte ai i pezullimit të bisedimeve për rinovimin nga ana e Lionel Messit, ndërkohë që edhe pozitat e tij janë tronditur ndjeshëm.

‘Nuk humbas asnjë minutë duke menduar për situatën time apo të asaj që mund të më ndodhë-tha Setien-e kam përjetuar edhe herë të tjera, është një  cirk dhe duhet ta pranojmë’.

Përsa i përket cështjes Messi, trajneri Setien  shtoi: ‘Leo është mirë, pjesa tjetër është spekulim. Nuk jam në dijeni të faktit se ka thënë dicka’.

Setien më pas u përball me një tjetër rast të nxehtë sic është ai i Griezmannit që duket se e ka humbur vendin e titullarit në skuadër

‘Griezmann është mirë, kam folur me të-vijoi Setien-është profesionist dhe mund të kuptojë këtë situatë sepse e ka përjetuar edhe më parë. Nuk do të ndikojë se është një person shumë pozitiv dhe mund të besojmë tek ai plotësisht. griezmann është një futbollist i madh, është i rëndësishëm për skuadrën. Kur luan ai, ju më pyesni për Ansu Fatin dhe anasjelltas. Nuk mund të luajnë të gjithë’

Përsa u përket vështirësive në ndeshjen kundër një skuadër që luan për një vend në kompeticionet evropiane dhe duke pasur problemet që Barcelona ka në transfertë, Setien thekson: ‘Kemi lënë pikë rrugës, megjithatë do të kishim merituar më shumë. Jemi akomë në lojë’.

sfidanti.al