Tonali, Emerson, Vidal dhe … Mesi, një Inter me ëndrra me sy hapur!

“Raundi” i parë përfundoi me sukses, dhe stoli nuk pati ndryshim. Interi mbajti Antonio Konten, dhe trajneri mbajti skuadrën e tij, por “raundi” i dytë është të mendosh për të ardhmen, pra për sezonin që vjen. Konte, pasi u bind nga kërkesa unanime e lojtarëve, stafit dhe krejt punonjësve të lidhur me të (deri edhe tek magazinierët), i është vënë punës për të forcuar radhët. Sipas mediave italiane, Tonali ka ardhur nga Bresha, pra Interi ka të vetin “Pirlon e ri”. Emerson konsiderohet thuajse i mbërritur nga Çelsi, ndërsa dëshira e madhe e Kontes është Arturo Vidal i Barcelonës, që nuk dihet nëse do të mund të vijë. Gjithsesi, ëndrra më e madhe e klubit, një lloj ëndrre me sy hapur, është Lionel Mesi. Nëse superylli argjentinas ikën nga Barça, dhe nëse zgjedh Interin kjo mund të ndodhë, por duket se Leo dëshiron Mançester Sitin. Duke u kthyer tek Interi, një konsideratë për paktin mes klubit dhe trajnerit ka Arrigo Saki, dhe ai vlerëson se është shumë pozitive që zikaltërit mbajtën Konten, dhe që Juventusi zgjodhi Pirlon.

Sfidanti.al