Tamam Siçili: Trajneri në stërvitje me pushkë dhe kërcënoi futbollistët!

Ish-pjesëtari i përfaqësueses së Italisë, Amauri, mbas 11 vitesh heshtjeje, zbulon një detaj shokues ose sensacional nga një stërvitje në Palermo para ndeshjes së UEFA-s ndaj Uest Hemit, më 2006.

“Unë, kurrë, nuk do ta harroj atë që ndodhi atë ditë. Ne po bënim përgatitjet e fundit për ndeshjen me Uest Hemit, kur trajneri Guidolini hyri në dhomën e zhveshjes me pushkë në dorë, na e drejtoi neve të gjithëve dhe na kërcënoi se do të na vriste, nëse ne nuk do ta mundnim ekipin anglez”, tregon Amauri, një italian i natyralizuar, duke shtuar se, pak kohë më parë, ai kishte takuar Fabio Simplicion, me të cilin kishin kujtuar atë rast dhe kishin qeshur, por se, atë ditë, para 11 vitesh, askujt nuk i shkoi ndërmend që të qeshte. Sidoqoftë, kërcënimi i Guidolinit dha fryt, pasi Palermo e mundi Uest Hemit 3-0 dhe u kualifikua për në raundin tjetër të konkurrimit evropian.