Tabloidi britanik gabon me Konten: Po shet karakter të fortë si Ikardin!

E përditshmja britanike “Deili Meil” i kushtoi një analizë mjaft të gjatë planeve të Antonio Kontes tek Interi, duke zbërthyer strategjinë e trajnerit italian si “largim të karaktereve të fortë si Ikardi e Naingolan, dhe afrimin e lojtarëve si Vidal apo Lukaku”. Po ashtu, tabloidi nënvizon se Konte shpreson të mos përsërisë gabimin e bërë tek Çelsi, kur u prish pa kthim me Diego Kostën.

Përsa i përket Diego Kostës, kjo edhe mund të qendrojë, pasi italiani ndoshta mund të tregohej më i pjekur për të mos thënë fjalën e fundit në fillim, por përsa i përket Ikardit sidomos, e deri diku edhe Naingolanit, duket se tekniku ka të drejtë. Më shumë sesa karakter i fortë, ish-kapiteni mund të cilësohet si njeri pa pjekurinë e duhur, që nuk arrin të gjejë ekuilibrin mes profesionizmit dhe familjes, duke lejuar që gruaja dhe menaxherja e tij të diskutojë publikisht gjëra që normalisht diskutohen “brenda familjes”.

Karakter i fortë do të quhej nëse Ikardi do të vendoste detyrën mbi gjithçka tjetër, siç bënë Zaneti, Stankoviç, Kivu, Samuel apo Milito, dhe jo egon personale e familjare mbi interesin e përgjithshëm të Interit. Më pak problematike gjendja e Naingolanit, një luftëtar i vërtetë, që nuk dorëzohet kurrë në fushë, dhe që pëlqehet nga shokët e skuadrës, por që ka një jetë private që e ka dëmtuar edhe në nivel klubi, edhe në atë të kombëtares.

Futbolli modern nuk lejon më histori si ato të lavdive të dikurshme të argjentinasit Moreno në vitet 40-të, dhe kjo u kuptua mirë nga përfundimi aspak i lavdishëm i një legjende si Ronaldinjo. Nuk dihet sesa sukses do të ketë Konte tek Interi, pasi kjo varet nga shumë faktorë, por e sigurt është që skuadra zikaltër do të jetë një grup luftëtarësh, si Juventusi i tij, si Italia e tij dhe si Çelsi i tij.

Sfidanti.al