Skuadra e Memushajt dhe Manajt është më e dobëta në Europë!

Asnjë fitore në fushën e lojës. Ky është bilanci i Peskarës, skuadrës më të dobët të Serisë A përsa i përket sukseseve me vlerë tripikëshe. Formacioni i lojtarëve të kombëtares, Ledian Memushaj e Rei Manaj nuk ka “shok” jo vetëm në Itali, por as në Europë. Kudo që të shkosh, ekipet e vendeve të fundit, sado të këqinj, sërish një sukses të vërtetë e kanë arritur, ndërsa Peskara mburret me 3 pikët në tavolinë ndaj Sasuolos. Në Rusi është Tom i Tomskut, në Turqi Adanaspori, në Belgjikë është Vesterloja dhe në Skoci, Hamiltoni. Të gjithë, të fundit, por me një triumf për të qenë. Peskara ka 1 fitore në tavolinë, falë gabimit të Sasuolon në aktivizimin e një lojtari të pafederuar, 5 barazime dhe 10 humbje. Interesant fakti se skuadra bregdetare nuk është e fundit në Serinë A, pasi barazimet e mbajnë në vend të parafundit. Përveç kësaj, është edhe një fakt tjetër në favor të Peskarës, që ka shënuar 13 gola (më shumë se Empoli e Palermo) dhe kanë pësuar 29 (më pak se Kaljari, Palermo, Krotone).