Shkëlqen Strakosha, por Kumbulla e Rrahmani ndalin Lacion!

Në Itali thuhet “ndaluan në më të bukurin”, ndërsa në Shqipëri “u ndalën në momentin më të mirë”. i tillë përkufizimi për Lacion që atëherë kur duhej të tregonte veten, nuk ia doli, duke barazuar 0-0 në shtëpi një ndeshje që normalisht do ta kishte fituar. Ishte forca e Veronës, por sidomos barra e përgjegjësisë për të parakaluar Interin e për t’iu afruar vendit të parë të Juventusit, që ndaloi këmbët e lacialëve.

Me një Tomas Strakoshë të shkëlqyer, që shpëtoi ekipin e tij të paktën 3 herë, skuadra e Inzagit bëri mjaft për të fituar, krijoi shumë raste e goditi dy herë shtyllat me anë të Luis Albertos, por nuk shënoi dot një gol të vetëm. Verona gjithsesi nuk pranoi t’i hapte rrugën Lacios, duke mbajtur topin gati 48 për qind, duke gjuajtur 3 herë në kuadrat (4 Lacio) dhe 8 herë gjithsej (10), madje duke pasur më shumë korne.

Marash Kumbulla dhe Amir Rrahmani luajtën shumë mirë në mbrojtje, duke marrë secili nga një karton të verdhë, por duke mos lejuar golat edhe pse përballë patën Imobilen, Luis Alberton apo Kaisedon. Barazimi do të thotë se Lacio mbetet në 50 pikë pas 22 ndeshjeve të Serisë A, ndaj 51 të Interit e 54 të Juventusit. Igli Tare foli që përpara ndeshjes dhe theksoi se “Lacio është konkurruese, mund të luftojmë për tituj, ndonëse patëm ndonjë dëmtim, dhe e kërkuam një sulmues, por nuk e morëm dot”.

Sfidanti.al