Sarri, sinjal presidentit De Laurentis që të forcojë Napolin

Verën e kaluar humbi lojtarin më të mirë që kishte, Gonzalo Higuainin, dhe këtë verë kjo mund t’i ndodhë me të tjerë. Mauricio Sarri nuk është një trajner plotësisht i lumtur, edhe pse e quan veten me fat që ndodhet në krye të Napolit. Intervista e tij e fundit ishte një spektakël i vërtetë, i një njeriu të fortë që di ta shohë në sy realitetin.

“Nuk di sesi mund ta përmirësoj më shumë Napolin, – tha ai, – përmirësimi vjen vetëm po more lojtarë me shpenzime monstruoze, diçka që nuk ia kam kërkuar kurrë klubit. Nuk di se çfarë lojtarësh të marrim, pasi këta që kemi janë shumë të fortë”. Gjithsesi, Sarri duhet të ruajë yjet pasi mund të ketë interes të madh për ta, për të tillë si Kajehon, Mertens, Isinje, Hamshik, Zielinski, Kulibali apo Hysaj.

Deri në 2020, trajneri ka kontratë me Napolin, ndonëse mund të ketë një rishikim në 2018, nëse palët nuk do të jenë të lumtur me njëri-tjetrin. Me Sarrin, napolitanët me shumë gjasa do të jenë për të dytin sezon radhazi në Champions, diçka që nuk ndodhte as në kohën e Maradonës, por italiani i Veriut po mendon për një largim.

“Me kontratën e ardhshme dua të pasurohem, – u shpreh ai, – nuk e kam fjalën për tek Napoli, por për Kinën ose Lindjen e Mesme. Për Napolin, duhet të falenderoj De Laurentisin (presidentin) që më dha mundësinë të drejtoj një emër të madh dhe lojtarë të tillë. Ishte i vetmi që më besoi”. Natyrisht, Sarri ia ka kthyer besimin 100 për qind.

Sfidanti.al