Sarri, ç’po ndodh me Juven tënde, përse kaq e lodhur kampionia?!

Nuk është e lehtë për këtë trajner të kalojë paragjykimet. Nuk duhet të harrojmë se shumë tifozë juventinë ishin kundër ardhjes së Mauricio Sarrit, dhe po ashtu shumë analistë me kollare theksonin se një teknik i tillë është tepër “plebe” për të drejtuar në një klub kaq aristokrat. Pikërisht, ky Sarri e ka më të vështirë se të gjithë për të përballuar humbjet, sidomos kur vijnë të tilla si dy radhazi ndaj Lacios.

Nëse e para në Serinë A edhe pranohej (një herë mund të ndodhë), dhe renditja mbetet sërish e mirë, disfata në Arabi ka shije tjetër. U humb trofeu i parë i sezonit, dhe kjo nga një skuadër që ishte mësuar të fitonte gjithnjë. Për më tepër, Juvja që u pa në fushë në Superkupë ishte një skuadër e lodhur fizikisht dhe mendërisht, diçka që e pohoi edhe trajneri i saj. Në të kundërt, Lacio u duk shkëlqyeshëm. Sarri nuk ishte në gjendje të shpjegonte këtë ndryshim, ndërsa lacialët kanë pasur gjithashtu ngarkesë të madhe, në Serinë A dhe në Ligën e Europës, plus që nuk kanë stolin torinez. “Në këtë ndeshje mbërritëm me pak energji fizike dhe mendore, – tha tekniku, – Lacio, ndërkaq, ka formë të shkëlqyer”.

Një dyshim ngrihet edhe për praninë e 3 sulmuesve njëkohësisht në terren. Kjo, sepse Lacio u duk më e fortë në mesfushë, por Sarri kundërshton. “Nuk humbëm nga treshja, pasi golat i pësuam kur hodha në fushë një mesfushor, – u shpreh ai, – ishim pranë barazimit deri në fund, ndryshe nga ndeshja në kampionat”.

Sfidanti.al