“Ruleta ruse” për Ançelotin, por Napoli lutet për suksesin e Xhenaro Gatuzos!

Gjithçka pritej, por jo ndoshta në këtë moment. Habia ishte e madhe që Napoli lajmëroi shkarkimin e Karlo Ançelotit menjëherë pas fitores ndaj Genkut dhe arritjes së kualifikimit për në turin e dytë të Ligës së Kampionëve. Nuk pati habi nga fakti se rrugët u ndanë dhe se pasardhësi i tij quhet Xhenaro Gatuzo. U kujtua shprehja popullore që po e themi përgjysmë, “kalova lumin …”, pasi ishte e qartë që presidenti De Laurentis nuk deshi që çështja e stolit të rrezikonte të ardhmen e Napolit në Champions. Ançeloti bëri edhe shërbimin e fundit, por falenderimi ishte i flakja tej.

Gatuzo, ish-trajner i Milanit, do të ketë kontratën e parë deri në fund të sezonit me rrogë 750 000 euro, ndërsa nëse arrin kualifikimin për në Champions edhe sezonin tjetër, do të ketë akord dyvjeçar me rrogë 1.5 milionë euro në edicion. Gjithsesi, nuk pritet ta ketë të lehtë, pasi Napoli është i përçarë. Gjithçka nisi kur presidenti De Laurentis urdhëroi izolimin e skuadrës pas rezultateve të dobëta, por lojtarët u rebeluan dhe Ançeloti u doli në krah. Që nga ai moment, fati i trajnerit u vendos. Napoli e vuajti krizën dhe dështimet radhazi e nxorrën jashtë zonës Champions në Serinë A, duke rrezikuar dështimin e gjithë sezonit.

Sfidanti.al