Ronaldo, Juvja fiton edhe pa ty, madje edhe me shpatulla pas muri!

Nuk ishte fitorja më e bukur, dhe ndeshja më e mirë, nuk ishte nga ato triumfe për të cilën të thuhet “të lumte”. Gjithsesi, tri pikët janë gjithmonë tri pikë, madje vlejnë edhe më shumë se kaq, kur arrihen në një fushë të vështirë, dhe me mënyrën sesi u bë në Bergamo. Atalanta kryesonte 1-0 deri 16 minuta para fundit, duke e merituar, madje duke merituar edhe më shumë. Humbi penallti, dhe shumë raste u ndaluan nga portieri Shezni, por edhe nga De Shilio.

Gosens shënoi për vendasit në 56’, por Higuain barazoi me fat në minutën e 74-ët. Më pas, ishte sërish Higuaini që kaloi Juven në epërsi në 82’, pavarësisht protestave të bergamaskëve për prekje të topit me dorë. Në mbyllje, Dibala arriti të shënonte golin e tretë.

Fitorja u komentua edhe si një përgjigje ndaj “tekave” të Kristiano Ronaldos, por drejtuesi Paratiçi kundërshtoi. “Me Ronaldon nuk ka asnjë problem, – tha ai, – Kristiano dhe Sarri kanë folur me njëri-tjetrin, gjithçka është e sqaruar dhe e vendosën bashkë që të mos luante sot”. Edhe Sarri u shpreh se CR7-ta mbetet lojtari kryesor i skuadrës, pavarësisht se nuk luan gjithnjë. Sidoqoftëm përfundimi ishte që Juventusi mund të fitojë pa Ronaldon, madje edhe ndeshjet më të vështira, dhe portugezi duhet ta ketë kuptuar mirë.

Sfidanti.al