Ronaldo i dëshpëruar, por më shumë i mërzitur është Sarri!

Nuk është gjë e mirë kur një trajner “ngre duart lart”, e thënë më saktë flet si i pafuqishëm për të ndryshuar realitetin. Mauricio Sarri nuk u ndje aspak mirë pas humbjes së Juventusit të tij në Lion, dhe në dëshpërimin e freskët pas vërshëllimës së gjyqtarit, u tregua ndoshta më shumë i sinqertë sesa duhet. “Për fat të keq nuk arrij t’u kaloj lojtarëve konceptin tim për ta qarkulluar topin më shpejt, – u shpreh Sarri, – për fat kemi 90 minuta për t’ia dalë. Shpesh, lojtarët ngatërronin pozicionet dhe lëvizjet që duhej të bënin, por gjithçka vinte nga ngadalësia në qarkullimin e topit. Në stërvitje ishim dy herë më të shpejtë, ndërsa duhej të kishte ndodhur e kundërta”.

Shpjegimi mund të jetë i saktë, por nuk jep zgjidhje, as shpresë se kur Juventusi do të jetë siç e dëshiron trajneri i tij. Sarri duhet të ndihet i shqetësuar edhe për reagimin e Ronaldos pas humbjes. Portugezi nuk arriti të shënonte, dhe deri tani ka realizuar vetëm 2 gola në 6 ndeshje, tepër pak për standardet e tij, diçka që nuk ka ndodhur që nga viti 2006 kur ishte në fillimet e tij tek Mançester Junajtidi. Imagjinoni sikur Juvja të eleminohet kaq shpejt, dhe CR7-ta të mos shënojë, atëherë lamtumirë shpresa për Topin e Artë. Dhe Ronaldo nuk është nga ata që nuk ankohet për trajnerin, siç e bëri vjet kundër Alegrit.

Sfidanti.al