Roma në vendin e tretë dhe pranë kreut, por falë arbitrit!

Torino mund të ishte mposhtur edhe ndryshe, por kush mund të bëjë parashikime me “nëse”. E vërtetë është që Roma pati një dorë të mirë ndihme nga arbitri Abiso në sfidën e Serisë A në “Olimpiko”, i cili përjashtoi në mënyrë të pashpjegueshme një lojtar mik (Singo) që në minutën e 14-të, dhe pastaj nuk vuri re një ndërhyrje të gabuar ndaj Belotit në hyrje të zonës së Romës, dhe nga ai moment nisi aksioni i golit të parë të vendasve shënuar nga Mkitarian. Veretut realizoi golin e dytë me një penallti të drejtë për faull ndaj Xhekos, Pelegrini për 3-0 dhe vetëm Beloti realizoi një gol nderi për torinezët.

Trajneri i Romës, Fonseka vlerësoi fitoren si të merituar, por nuk deshi të fliste për titull. “Më mirë të mendojmë për Atalantën, – tha ai, – ka shumë rëndësi mbështjetja e pronarëve, e familjes Fridkin”. Nga Torino u lëshuan akuza prej drejtorit sportiv, Vanjati: “U penalizuam për një gabim të çmeritshëm, nuk është hera e parë që ndodh. Si nuk përdoret VAR-i për gjëra të tilla”. Marash Kumbulla e nisi në stol, ndoshta duhet të marrë veten edhe më mirë, por edhe sepse Fonseka ka alternativa të tjera, sidomos anglezin Smolling. Gjithsesi, mbrojtësi i kombëtares hyri në fushë në pjesën e dytë. Në krahun tjetër, për Torinon luajti futbollisti i Kosovës, Vojvoda. Roma ka 24 pikë, njëlloj me Juventusin e vendit të tretë, 4 pikë prapa Milanit kryesues të Serisë A.

Sfidanti.al