Racizëm edhe nga ekrani, sa shumë probleme në Serinë A për Romelu Lukakun!

E kuptoi tepër shpejt se ku kishte ardhur. Romelu Lukaku u ofendua në mënyrë raciste ndërsa luante për Interin në fushën e Kaljarit, por ky trajtim nuk do t’i vinte vetëm nga tifozët kundërshtarë. Një skandal edhe më i madh ndodhi së fundmi, me një analist italian që bëri komente raciste për sulmuesin belg. Luçiano Pasirani deklaroi në ekranin e televizionit “Top Kalço 24” se “Lukaku është kaq i fortë, saqë për ta rrëzuar duhet t’i hedhësh 10 banane”, pra duke e krahasuar me një majmun.

Pasirani kërkoi falje më pas, por kjo mjaftoi që drejtuesit e televizionit ta largonin nga puna. Bëhet fjalë për një 80-vjeçar, që ka mbi 50 vjet që është i lidhur me futbollin. Për këtë arsye, paneli i Premier Ligës angleze, komentoi në Tuiter se “problemet me racizmin janë shumë të thella në Itali”.

Jo vetëm kaq, por Lukaku pati kundër edhe tifozët e tij, ata të Interit, që disa ditë më parë mbrojtën tifozët e Kaljarit pas ofendimit që i bënë sulmuesit të tyre. “Ajo që ndodhi ishte një mënyrë për të të trembur, dhe nuk ishte racizëm”, – deklaruan ultrasit. Racizmin e ndjeu këtë fundjavë edhe lojtari i Milanit, Kesi, që u ofendua nga tifozë të Veronës, në ndeshjen e Serisë A.

Sfidanti.al