Planet e përforcimit tek Interi, nga stoli është fituar vetëm 1 ndeshje!

Prekja magjike nuk mund të zgjasë gjithnjë, dhe Europa e tregoi fare mirë. Me 11 lojtarë të fortë s’ke shans të fitosh as vetëm Serinë A, jo të luftosh në dy fronte, ndaj edhe Antonio Konte e Bepe Marota po studiojnë strategjinë për 2020-ën. E thënë shqip, duhen përforcime dhe sa më shpejt e sa më cilësore. Statistikat tregojnë qartë se Konte nuk ka mundur të manovrojë nga stoli për të ndryshuar fatin e ndeshjeve. Nga zëvendësuesit është fituar vetëm 1 sfidë gjatë gjithë sezonit deri tani, i vetmi që erdhi nga stoli dhe ndikoi tek fitorja ishte Barela.

Emrat që përmenden në Milano janë disa, së pari Kulushevski i Atalantës, por edhe Markos Alonso i Çelsit, si dhe Kieza i Fiorentinës. Nga Brazili piketohet 19-vjeçari Linkoln i Flamengos, ndërsa nga Bresha pëlqehet Sandro Tonali. Shpresa e madhe është Alan i Napolit, që nuk po kalon periudhë të mirë në “San Paolo”, si dhe Nandez i Kaljarit që nuk rinovon kontratën. Më tej, portieri argjentinas i Udinezes, Muso. Do të duhen para, por shpresohet që huazimet të japin efekt, siç është rasti i Ikardit tek Paris SG.

Sfidanti.al