Pioli urdhëroi Milanin që të fitonte, por urdhëri nuk u zbatua!

Me kë e kishte trajneri i sapoemëruar në detyrë, kur u ankua se nuk u bënë detyrat e shtëpisë? “Ka ndeshje që Milani duhet t’i fitojë dhe pikë”, – tha Stefano Pioli, por ndeshja e tij e parë në stolin kuqezi, ajo në “San Siro” ndaj Leçes përfundoi 2-2. Një goditje e rëndë, dhe pse jo përfundimtare, për të, për skuadrën dhe për tifozët, edhe pse këta të fundit nuk kishin ndonjë shpresë që kur emri i Piolit doli si pasardhës i Xhampaolos.

Përtej formës së mirë të Çalhanoglusë, dhe golit të shënuar më në fund në aksion e sipër nga Piontek, Milani pati shumë pak për të “korrur” nga ajo që “mbolli” në fushën e “San Siros”. Dominoi pjesën e parë, por dihet se ndeshjet luhen edhe pas pushimit, ndërsa Leçe u paraqit ndryshe nga katastrofa 0-4 ndaj Interit në po këtë stadium. Më me kurajë, me më shumë lojë dhe më e organizuar . Një pikë që do t’i japë më shumë moral sesa ngjitje në renditje.

Për fat të keq, Pioli pësoi goditje në ditëlindje, sepse pikërisht të dielën mbushi 54 vjeç. “Më vjen keq, – tha ai, – u ndëshkova nga dy ish-lojtarë të mi si Babakar dhe Kalderoni. Kuptohet, që nuk më bënë ndonjë dhuratë të bukur”. Natyrisht, fajin kryesor e patën futbollistët e tij, ata të Milanit, që kishin për detyrë të uronin trajnerin me një fitore. Kuqezinjtë janë në vend të 12-të në Serinë A, me 10 pikë, 6 pikë larg zonës Champions.

Sfidanti.al