Për çfarë janë në një mendje Sarri e Konte? Për VAR-in!

Janë në unison, ndonëse nuk e dinë. Mauricio Sarri dhe Antonio Konte kanë pakënaqësi në kulm për teknologjinë në futboll, por gjithashtu pohojnë se do ta përdornin vazhdimisht nëse do të ishin arbitra. Në dy rrëfime të sinqertë, para ndeshjeve të fundjavës në Serinë A, ata u pyetën për ndikimin e VAR-it.

“Nuk më pëlqen, – tha trajneri i Juves, – por, nëse do të kisha qenë arbitër, ose nëse do të varej nga kërkesa e trajnerit, do të më duhej ta përdorja më shumë se dy herë në ndeshje. Në rast të tillë, do të rrezikoja të përjashtohesha me karton të kuq. Në Europë përdoret me më shumë kujdes sesa në Itali”.

Trajneri i Interit theksoi se “VAR-i nuk përdoret për të gjithë njësoj”. “Problemi me VAR-in është pikërisht ky, – vazhdoi ai, – ka raste që përdoret, ka raste që jo. Për momente të rëndësishëm, teknologjia duhet sepse ndihmon, është gjë e madhe, por jam më pak entuziast sesa vjet, sepse shoh se nuk po përdoret siç duhet”. Pra, faji nuk është i teknologjisë, por i njerëzve.

Sfidanti.al