Parma, një mrekulli italiane si Modena e De Biazit

Koha e borxheve të mëdha është lënë pas, për momentin. Një klub me histori të shkurtër, por të rëndësishme në Itali, si Parma, po jeton një tjetër “pranverë”, madje një nga më të bukurat. Skuadra nga Emilio Romanja ndodhet në vendin e 6-të në Serinë A, përmbi Romën, Torinon, Fiorentinën apo Atalantën, dhe me synime të arritshme për Europën.

Në Itali, këtë e quajnë mrekullia e sezonit, pasi nuk harrojnë se çfarë “kalvari” pati Parma vitet e fundit. E falimentuar dhe rithemeluar në 2015, pas detyrimeve financiare prej mbi 200 milionë eurosh, ajo nisi gjithçka nga Seria D, niveli amator i futbollit italian.

I blerë nga Grupi Barila (Barilla), me president Nevio Skalën (ish-trajnerin e shquar) dhe me trajner, ish-lojtarin Luixhi Apoloni, Parma u ngjit menjëherë në kategorinë e tretë, në Lega Pro.

Aty, në dhjetor 2016, ekipin e mori trajneri i ri, Roberto D’Aversa. Ai menjëherë e ngjiti në Serinë B. Sezonin tjetër, 2017-2018 siguroi ngjitjen në Serinë A, duke dalë në vend të dytë.

D’Aversa është sërish në stol, në një arritje që të kujton disi atë të Xhani De Biazit me Modenën, që e mori nga kategoria e tretë dhe për dy sezone e ngjiti në Serinë A, duke ia dalë ta mbante aty sezonin pasardhës.

Vendi i pestë është i mundshëm, pasi Milani është vetëm 2 pikë larg, e ndoshta mund të arrihet javën e ardhshme, kur Parma do të luajë pikërisht kundër kuqezinjve në “San Siro”.

Sfidanti.al