Nga Lautaro tek Obamejangu, Konte ka planet e tij tek Interi

Nuk do të donte aspak ta humbiste lojtarin e tij të rëndësishëm të sulmit, por mund të jetë i detyruar të pranojë. Nëse Lautaro Martinez do të dëshironte të shkonte tek Barcelona, Antonio Konte nuk do të niste “Luftën e Tretë Botërore”, por do të bënte llogaritë e tij. Mediat raportojnë se trajneri i Interit do të preferonte që në këmbim të Martinezit, të merrte Artur Melon ose Nelson Semedon nga Barça, plus një paketë të madhe financiare. Klauzola e transferimit e argjentinasit thuhet se është rreth 112 milionë euro.

Vetë Barça do të donte të fuste në “pazar” lojtarë të tillë si Arturo Vidal dhe Ivan Rakitiç, ndonëse trajneri Kike Setien do të pranonte të humbiste vetëm njërin. Katalanasit e duan Lautaron si pasardhës afatgjatë të Luis Suarezit, që mbushi 33 vjeç në janar. Interi, ndërkaq, ka piketuar një sulmues që mund ta zëvendësojë plotësisht Martinezin, dhe ky mendohet se është Pjer-Emerik Obamejang i Arsenalit. Nuk dihet nëse Konte do t’ia dilte që ta merrte një nga sulmuesit më të mirë të Premier Ligës, të cilin e kërkojnë edhe klube të tjerë.

Sfidanti.al