Nëse Ikardi s’dëgjon as legjendën Zaneti, s’ka paqe me Interin

Kritikat kanë qenë të shumta nga të katër anët për Mauro Ikardin, veçse Havier Zaneti nuk është nga ata që dëshiron thjesht të kritikojë. Si një nga të urtët e vjetër të Interit, ish-kapiteni dëshiron të ndërtojë ura, të këshillojë dhe të krijojë ngrohtësi, edhe pse jo duke u lutur. Të tilla fjalët e tij për rastin e kapitenit të “shkarkuar” zikaltër.

“Kur ka probleme brenda skuadrës, atëherë duhet që lojtarët të flasin së bashku me njëri-tjetrit, – ishte këshilla e tij për argjentinasin, – vetëm kështu grupi mund të bëhet më i fortë dhe të krijohen kushtet që të arrihen fitoret”. “Nuk kam folur me Mauron drejtpërdrejt dhe më vjen keq për situatën që është krijuar, – vazhdoi Zaneti, – por, rregulli është i qartë, që skuadra vjen mbi të gjithë ne”.

Më tej, Zaneti i kujton Ikardit se çfarë detyrimesh ke, kur të bëhet nderi që të jesh kapiten. “Shiriti i kapitenit është shumë i rëndësishëm, dhe është sinonim i një shembulli që duhet të japësh, – shpjegoi argjentinasi, – Shokët të respektojnë për atë që bën brenda dhe jashtë fushe. Duhet ta respektosh shiritin, jam dakord me atë që ka thënë Handanoviçi”.

Interi vazhdon të presë për një përgjigje të Ikardit lidhur me rinovimin dhe rolin e tij në skuadër, ndërsa prej 3 ndeshjesh sulmuesi nuk është në fushë. Drejtori i përgjithshëm, Bepe Marota, është shprehur se dëshiron të ketë marrëveshje me Ikardin.

Sfidanti.al