Morati: Nuk kam frikë nga kurrora e trefishtë e Juventusit!

Juventusi ndodhet në një formë mjaft të mirë në këtë fillimsezoni dhe konfirmim është fakti se ky ekip torinez po arrin fitore të njëpasnjëshme si në Serinë A, ashtu edhe në Ligën e Kampioneve. Në fakt, shumëkush konsideron se ky brez bardhezi është në gjendje që të sulmojë dhe të fitojë kurrorën e trefishtë, ashtu sikurse bëri Interi në vitin 2010. Tani për tani, “neroaxurët” janë i vetmi klub italian që e ka fituar kurrorën e trefishtë, kështu që në shpesh raste, kur ka “përplasje” sipas relacionit Milano-Torino, tifozët dhe legjendat e Interit të Milanit e përdorin këtë fakt bindës.
Sa i përket kësaj teme, këto ditë u prononcua edhe ish-njeriu nr.1 i Interit Masimo Morati që thotë se ai nuk ka frikë, nëse Juventusi do të përsërisë suksesin më të madh të Interit.
“Përse duhet të kem frikë? Rekordet prandaj janë që të thyhen ose të barazohen. Kjo është diçka që mund të ndodhë, por, deri tani, nuk ka ka ndodhur. Sidoqoftë, tani për tani, ata janë të paprekshëm në Serinë A, të paktën kështu mendoj unë. Momentalisht, çdo ekip e ka të vështirë të arrijë deri te niveli i bardhezinjve”, deklaroi Morati.
Sfidanti.al