Milan në merkato për Europën, kërkon Keita për sulmin

Milani në këtë sezon ka si objektiv rikthimin në kupat e Europës dhe ka nisur të lëvizë në këtë sesion të merkatos me qëllim gjetjen e lojtarëve cilësore, që mund ta ndihmojnë Vinçenco Montelën në pjesën e mbetur të edicionit. Një prej emrave më të përmendur dhe që trajneri napoletan e vlerëson shumë është sulmuesi Lazios, Keita Balde. Mediat italiane raportojnë, se klubi kuqezi po përgatit një sulm vendimtar, për ta afruar senegalezin në “Milanelo”.

Sulmuesi 21-vjeçar nuk ka gjetur gjuhën e përbashkët me drejtuesit bardhekaltër, për zgjatjen e kontratës që përfundon në verën e vitit 2018 dhe për këtë arsye duket se klubi nga kryeqyteti është gati të pranoj ofertën e Milanit, e cila konsiston në një huazim me detyrim blerjeje, prej 20 milion eurosh. Në fakt, presidenti i Lacios, Klaudio Lotito, pretendon 30 milion euro, por besohet se gjithçka mund të mbyllet për një shifër të ndërmjetme.