Mauricio Sarri shkon tek “macja e zezë”, stadiumi i Firences

Përballë do të jenë dy skuadra, do të jenë edhe dy trajnerë, por do të jetë edhe një tabu për t’u shkatërruar. Mauricio Sarri, tekniku i Napolit, nuk ka mundur kurrë që të fitojë në “Artemio Franki” të Firences, të paktën që kur është ulur në stolin e napolitanëve. Diçka që peshon, të paktën në aspektin psikologjik, qoftë edhe për një njeri me karakter shumë të fortë si Sarri.

Do të ishte shumë e rëndë nëse mallkimi “Artemio Franki” do të vazhdonte, pasi Napoli do të mbetej sërish prapa (ndoshta edhe më shumë) në garën për titull me Juventusin. Përsa i përket duelit me trajnerin e Fiorentinës, Pioli, vetë Sarri nuk është ndarë keq, duke marrë 5 fitore, 1 barazim e vetëm 2 humbje, por Napoli ka parë shumë ditë të zeza prej tij.

Pioli i hoqi Napolit të Benitezit një kualifikim për në Champions në 2014-2015, duke e mundur 4-2 në “San Paolo” kur ishte tek Lacio, ndërsa në kohën e Valter Macarrit, e mundi dy herë skuadrën napolitane, kur trajneri ishte te Kievo. Ndeshja Fiorentina-Napoli luhet të dielën në orën 18:00 dhe do të shikojmë nëse Sarri do ta prishë “magjinë e zezë”.

Sfidanti.al