Marash Kumbulla si ruleta ruse, shqiptari 20-vjeçar zgjedh Interin para Lacios!

Lajmet ndryshojnë nga dita në ditë, por ky duket i tillë që i jep fund lojës. Marash Kumbulla ka zgjedhur Interin për të vazhduar karrierën, dhe këtë e raportojnë mediat italiane, saktësisht gazetari i “Skaj Sport Italias”, Xhanluka Di Marcio.  Sipas tij, qendërmbrojtësi i kombëtares shqiptare e ka mbledhur mendjen për të luajtur në Milano, duke nisur që nga sezoni i ardhshëm, dhe duket se ky vendim është marrë me synimin për të fituar trofe.

Në garë për 20-vjeçarin e Veronës ishin sidomos Lacio, e udhëhequr nga drejtori sportiv, Igli Tare, por edhe Juventusi. Me gjasë, ka qenë këmbëngulja dhe serioziteti i trajnerit zikaltër, Antonio Konte, që e kanë bindur Kumbullën se zgjedhja ideale do të ishte Interi, ku ai do të kishte mundësi të luante, dhe ku është në proces një projekt ambicioz.

Nuk dihet sesa mund t’u kushtojë milanezëve kartoni i shqiptarit. Lacio, raportohet se jep 20 milionë euro, plus dy futbollistë, pra Interi duhet të ketë ofertë më të lartë, ndërsa në favor të lombardëve është edhe dëshira e lojtarit. Marash Kumbulla shkëlqeu në sezonin e kaluar të Serisë A, duke shënuar gola e duke shkëlqyer në mbrojtje për Veronën, ndërsa u bë edhe pjesë e kombëtares së Shqipërisë, duke debutuar në ndeshjen eleminatore të Europianit në Çisinau ndaj Moldavisë.

Sfidanti.al