Lacio, vetëm 3 pikë larg kreut, por “motra” e saj, Roma, u rrëzua keq!

Nuk mund të kishte fat më të kundërt për dy skuadrat e kryeqytetit italian, në ndeshjen e kësaj fundjave në Serinë A. Lacio luajti jashtë fushe dhe fitoi, ndërsa Roma ishte në shtëpinë e saj dhe humbi. Diferenca në renditje shkoi në 4 pikë në favor të bardhekaltërve, ndërsa projekti i trajnerit Fonseka, të paktën për momentin, mori një goditje të fortë nga Torino.

Dy ndeshjet u vendosën, përsa i përket golave, nga dy sulmues “race” të futbollit italian, me Çiro Imobilen që realizoi të dyja rrjetat për Lacion në fushën e Breshës, dhe me Andrea Belotin që goditi dy herë në stadiumin “Olimpiko”. Mario Baloteli, më kot, shënoi golin e parë të Serisë A për vitin 2020, duke qenë lojtari i parë që shënon në të dyja dekadat e fundit. Imobile barazoi me penallti, dhe pastaj i dha fitoren lacialëve të trajnerit Inzagi, në minutën e parë shtesë (90’+1). Skuadra e portierit Tomas Strakosha ka 39 pikë, ndaj 42 të Interit dhe të Juventusit, me të njëjtin numër ndeshjesh të luajtura. Ky ishte suksesi i 9-të radhazi i Lacios.

Po Roma çfarë pati? Padyshim që gaboi, por edhe nuk pati fat. Përballë saj ishte një Beloti në formë të jashtëzakonshme, që shënoi dy gola dhe goditi dy herë shtyllën. Në portën e Torinos ishte Sirigu, dhe ish-portieri i Paris SG bëri pritje të mëdha, duke mos lejuar golin. Të dyja rrjetat e “Gjelit” ishin në fund të pjesëve, në 45’+2 dhe 86’ me penallti.

Sfidanti.al