Kryeministri bën “për ujë të ftohtë” Serinë A, ditën e nisjes së Bundesligës!

Çfarë garancish ishin në Gjermani, që në Itali nuk po i gjejnë dot? Nuk e sqaron Xhuzepe Konte, kreu i qeverisë në Romë, por fjalët e tij janë shumë të qarta lidhur me çfarë mendon dhe çfarë do të lejohet. Që nga e hëna njerëzit do të jenë të lirë të lëvizin ku të duan brenda krahinës së tyre, në kafene, në restorante, në biblioteka, nëpër miq e familjarë, e nëpër parqe, por për Serinë A as që bëhet fjalë.

“Do të ketë stërvitje si skuadër që nga e hëna, – thotë Konte, – pra edhe për futbollin. Ka shumë shqetësime, dhe po punohet fort. Minstri Spadafora është shumë i përgjegjshëm, është e rëndësishme që të plotësohen kushtet për një rifillim me siguri maksimale. Për të dhënë një datë të caktuar duhen garanci që nuk ekzistojnë”. Ndoshta, në 3 qershor mund të mësohet më shumë, por me gjasë qeveria italiane është më shumë nën presion se ajo gjermane për shkak të bilancit shumë më tragjik të koronvirusit në vend, me gati 32 000 të vdekur e 225 000 raste infektimi. Gjermania është në nivelet 8 000 të vdekur (katër herë më pak) e 176 000 të prekur.

Sfidanti.al