Kristiano, renditjen e goditjeve të dënimit duhet ta shohim përmbys!

Statistika është e qartë, ndonëse nuk mund t’i bëjë dot hije arritjeve të tij të mëdha. Kristiano Ronaldo, autor i mbi 700 golave në karrierë me klube e kombëtare, po dështon vazhdimisht me sukses për të shënuar me goditje dënimi tek Juventusi. Adresa italiane “Ultimo Uomo” nxjerr se CR7-ta është lojtari i dytë më i keq i Serisë A kur vjen puna për encet, pasi ka gabuar 18 herë që ka gjuajtur, duke mos shënuar asnjëherë. Vetëm Kamilo Çiano i Frozinones ia kalon me 21 goditje dënimi pa sukses. Në këtë mënyrë, për Ronaldon duhet të themi siç shprehen shpesh tifozët shkodranë “po e shohim tabelën përmbys që ta gjejmë Vllazninë në vend të parë”.

Bashkë me Championsin, statistika e portugezit bëhet më e keqe pasi janë 24 përpjekje të pasuksesshme. Pesëmbëdhjetë herë ka goditur, murin, 7 herë ka pritur portieri, dhe dy topa kanë kaluar pranë shtyllave ose mbi to. Gjithsesi, superylli ka shënuar me goditje dënimi këtë vit me kombëtaren në ndeshjen e Ligës së Kombeve ndaj Zvicrës.

Sfidanti.al