Konte merr 5 lojtarë nga Premieri për Interin? Jo, ka edhe një të gjashtë!

Sa për saktësim, ai nuk luan aktualisht në Angli, është i huazuar, por kartoni mbetet tek Çelsi. Është Viktor Mozes, lojtari me të cilin Antonio Konte luajti dhe fitoi Kupën e Anglisë në 2018, që mund të bëhet përforcimi i radhës për Interin. Trajneri zikaltër është gati që ta marrë nga huazimi që po kalon në Turqi tek Fenerbahçe, dhe klubi turk nuk ka ndërmend ta pengojë.

Mozesi është lojtar krahu, në moshën 29-vjeçare dhe me pasaportë nga Nigeria, ndërsa besohet se përshtatet mirë me skemën e preferuar të italianit, 3-5-2, skemë që ka nevojë për lojtarë të shumë dhe të mirë nga krahët. Nëse Interi do të dojë ta marrë përfundimisht, duhet të paguajë 10 milionë euro. Mozes mund t’i bashkohet një “kolonie” nga Premier Liga që po rritet tek Inter. Në verë, në “San Siro” shkuan Romelu Lukaku dhe Aleksis Sançez, ndërsa tani Eshli Jang, Olivie Zhiru, por edhe Kristian Eriksen.

Sfidanti.al