Katër minutat e Belotit dhe gabimet, ku është Milani i Xhampaolos?!

Në Itali shpesh thuhet se ky sulmues ka një moment kur bëhet shkatërrues, dhe mjerë kundërshtari që i qëllon atë ditë. E vërtetoi këtë vlerësim Andrea Beloti, që shënoi dy gola në minutat 72 e 76 për t’i dhënë Torinos një fitore të madhe ndaj Milanit. Kundërshtari me emër të madh, por ende në krizë identiteti, kaloi i pari në epërsi me anë të Kristof Piontekut që shënoi me penallti, veçse mrekullia zgjati vetëm 45 minuta.

Pas pushimit, kuqezinjtë ranë ndjeshëm dhe Toro gjeti Belotin. Sulmuesi barazoi me gjuajtje nga jashtë zone, që u cilësua edhe gabim i portierit Donaruma, si dhe përmbysi gjithçka në 76’ me një roveshatë pranë portës. “Gjeli” ndihmoi ekipin të ngjitej në vendin e 6-të, ndërsa milanistët zbritën në të 13-in. Trajneri Macarri rrezikoi me treshen e sulmit Verdi-Zaza-Beloti dhe doli fitues. Edhe Milani u përgjigj me “tridhëmbësh” (Suso-Leao-Piontek) që krijoi gjithashtu rrezik. Suso e Piontek mund ta kishin mbyllur ndeshjen pas pushimit, pro gabuan dhe trajneri Xhampaolo pohoi se “na mungoi cinizmi, nëse nuk i mbyll takimet e pëson kështu, por loja më pëlqeu”. Nuk dihet sesa u ka pëlqyer ndeshja drejtuesve të Milanit, pas një tjetër humbjeje.

Sfidanti.al