Kasano bën krahasimin Mesi-Ronaldo me yjet e tenisit!

Po flet një njeri që e di se çfarë është talenti, dhe pse nuk e pati karrierën të denjë për potencialin e tij. Antonio Kasano u pyet për Kristiano Ronaldon dhe Lionel Mesin, dhe bëri një krahasim origjinal, që askush tjetër nuk e kishte bërë më parë.

“Ronaldo është si Nadali, tepër i talentuar, por i mbështetur shumë në fizikun dhe në punën e përkushtuar, – theksoi italiani, – Mesi është si Federeri, një talent tepër i madh, dhe këta kur janë në maksimum duket sikur nuk kanë nevojë për trupin e tyre”.

Kasano mendon se kalimi i Kristianos tek Juventusi ishte diçka shumë e mirë. “Do të ketë trajner Alegrin që do të dijë të sillet me të, – theksoi Antonio, – virtyti më i mirë i Alegrit është inteligjencia dhe ai i lë hapësirë lojtarëve që kanë imagjinatë, sidomos atyre që janë shumë të mirë. Ai është trajneri më i mirë për Ronaldon”.

Sfidanti.al