Juvja pranë titullit? Sarri: Edhe kur godet shtyllën, je pranë golit!

Fjalët e trajnerit të torinezëve të kujtojnë shprehjen e specialistit gjerman Ditmar Kramer, që erdhi në Shqipëri në vitet 80-të, për të bërë kurs trajnimi për teknikët shqiptarë. “Shtyllë-gol, trajner i mirë, shtyllë-jashtë, trajner i keq”, – tha Krameri, dhe ky postulat vlen në të gjithë botën, në futboll e në sport. Në këtë mënyrë u përgjigj edhe Mauricio Sarri kur gazetarët i kujtuan se pas fitores me Lacion, titulli për Juventusin e tij është më pranë. “Edhe kur godet shtyllën je pranë golit”, – tha me nënkuptim të qartë napolitani, që është 8 pikë larg Interit të vendit të dytë në Serinë A.

Gjithsesi, për të pati lajme të mira, pasi drejtuesi juventin, Paratiçi, e konfirmoi në stol. “Sarri është me ne edhe vitin që vjen, por duhet të përqëndrohemi tek fitorja e kampionatit”, – ishin fjalët e tij. Vetë trajneri theksoi se “ka një kontratë me klubin”, por edhe në këtë rast vlen të kujtohet shprehja “shtyllë-gol, shtyllë-jashtë”. Nëse Kristiano Ronaldo do të vazhdojë të jetë në formë, nëse të dëmtuarit do të kthehen e do të jenë vetvetja, edhe për Sarrin do të jetë më e lehtë që të jetë trajner i mirë.

Sfidanti.al