Juventusi shpreson që Higuain e Rabio të kthehen shpejt!

Mbeten lojtarë të rëndësishëm sidomos për një periudhë që pritet të jetë e ngarkuar. Gonzalo Higuain e Adrien Rabio janë alternativa për trajnerin e Juventusit, Mauricio Sarri, dhe moskthimi i tyre në Torino, si shokët ka krijuar shqetësim. Higuain mbetet në Argjentinë pranë nënës së tij tepër të sëmurë, që thuhet se është me kancer. “La Gazeta delo Sport” shkruan se sulmuesi po pret lajme nga mjekët deri javën tjetër përpara sesa të vendosë se çfarë të bëjë. Rabio mbetet në Francë, nuk dihet saktë përse nuk është kthyer si Ronaldo, Pjaniçi, De Ligti, Shezni e të huajt e tjerë. “Delo Sporti” shkruan se “për pak këto do të kthehen në raste diplomatike”, ndonëse nuk besohet se autoritetet franceze e pengojnë Rabionë që të udhëtojë drejt Torinos. Nuk dihet sesi do të përfundojë kjo çështje, por lojtarët padyshim që do të mbeten prapa, pasi do të duhet të bëjnë edhe 2 javë karantinë, me kthimin në Itali. Juventusi mendon se ndoshta të dy do të largohen sezonin e ardhshëm, por për momentin i duhen.

Sfidanti.al