Juventusi shkëlqen, por Sarri mërzit tifozët për treshen Ronaldo-Higuain-Dibala!

Pas errësirës vjen përsëri mëngjesi. Kjo ishte shprehja filozofike e Kristiano Ronaldos, ndërsa ndodhej në krizë disa javë më parë, dhe për portugezin duket se ka zbardhur dita e re. Me dy golat shënuar në portën e Udinezes, por sidomos me lojën që zhvilloi, superylli portugez i lajmëroi të gjithë se është kthyer në formën e tij të zakonshme, dhe se prej tij mund të priten mrekulli.

Fitorja 3-1 ndaj Kaljarit u shoqërua me mbërritjen e Interit në krye të renditjes së Serisë A, por edhe me një rekord personal. CR7-ta u bë i vetmi lojtar në 5 ligat kryesore të Europës, që shënon të paktën 10 gola në një sezon në të gjithë konkurrimet, për 15 vjet me radhë.  Ai mund të kishte bërë edhe më shumë, nëse nuk do të kishte qenë portieri kundërshtar, që bëri disa pritje të shkëlqyera.

“Gjëja kryesore ishte fitorja, – u shpreh Kristiano, – ne duhet të luajmë pikërisht kështu, me besim në vetvete. Bëra maksimumin dhe jam i lumtur për golat dhe për paraqitjen time, veçse kryesore është sesi luan skuadra dhe sesi është rezultati”.

Ronaldo spikati edhe me gjestin e tij të madh, duke refuzuar të mbante shiritin. Pas daljes së Bonuçit, Juventusi do të kishte tjetër kapiten, por portugezi ia kaloi nderin mesfushorit francez, Blez Matyidi, dhe kjo për arsyen se ai ka më shumë vjet se ai në skuadër. Tifozët ishin të lumtur sepse ndaj Udinezes shkëlqeu e gjithë treshja sulmuese, pra edhe Higuain e Dibala. Gjithsesi, trajneri Mauricio Sarri, nuk u tregua entuziast për të ardhmen.

“Sot ata ishin shumë mirë për 60 minuta, – tha ai , – të tre së bashku në fushë janë një zgjidhje e jashtëzakonshme vetëm në disa momente. Sulmuesit tanë janë shumë në formë, por nuk mund të luajnë bashkë kur kundërshtari e qarkullon mirë topin”.

“La Gazeta delo Sport” titullon: Të kappa! Juventusi me treshen e mrekullive, harbohet Ronaldo! Sarri hedh papritur CR7-ën nga minuta e parë!

“Il Korriere delo Sport” komenton garën për titull: Trup më trup! Juventusi shkatërron Udinezen dhe mbërrin Interin, që u ndal në Firence!

Interi u mendua se do ta mbante kreun i vetëm, por u dorëzua në fund në fushën e Fiorentinës. Borha Valero kaloi milanezët në epërsi që në minutën e 8-të në stadiumin “Artemio Franki” të Firences, por pikërisht në fund, sulmuesi serb Dushan Vlahoviç vulosi rezultatin 1-1. Trajneri Antonio Konte vlerësoi lojtarët e tij, por theksoi se zikaltërit po paguajnë lodhjen, ndaj në 3 ndeshjet e fundit nuk arritën asnjë fitore. Interi e Juventusi kryesojnë Serinë A me nga 39 pikë pas 16 javëve.

Sfidanti.al