Juventusi “fle”, Ronaldo jo, tani Interi është 4 pikë prapa!

Diferenca në potencial po nis të ndihet tani. Pavarësisht se Interi u shlodh disa ditë dhe pritej të ishte më i freskët, e vërteta është se po ndihet më i lodhur, ndërsa Juventusi më praktik. Edhe pse skuadra po luan jo siç i pëlqen trajnerit Mauricio Sarri, pra jo futbollin e bukur, sërish ka një element shumë të bukur në përbërje, dhe ky është Kristiano Ronaldo. Portugezi, tashmë me flokët si bisht japonez, shënoi dy gola duke shpëtuar kampionët në një ndeshje relativisht të dobët ndaj Parmës, fituar me shifrat e ngushta 2-1.

Falë tij dhe falë fitores, Juvja ka 51 pikë ndaj 47 të Interit, dhe duket se në Serinë A po nis të ndahet “shapi nga sheqeri”. Ronaldo ka shënuar 16 gola në kampionat, 11 prej të cilëve në 7 ndeshjet e fundit. Po del e vërtetë fjala e Sarrit, që CR7-ta vuante nga një problem në gju, ndërsa tani duket shumë mirë, edhe pse është 34 vjeç. Kampionët kanë plane të mëdha këtë sezon, edhe në Itali, por edhe në Champions dhe nuk duan disfata të tjera si ajo në Superkupën e Italisë ndaj Lacios.

Sfidanti.al