Juventus, duhet një plan 5-vjeçar për të mbërritur Realin e Barçën!

Kur Andrea Anjeli mori në dorë klubin në maj 2010, gjithçka ishte e zezë. Të kuptohemi, e zezë për standardet e Juventusit, që ishte mësuar të fitonte tituj e të synonte dominim në Europë, jo të zbriste në Serinë B, të binte në skandale si ai i “Kalçopolit” e të ndiqte pas Interin apo Milanin. Për fat, qëlloi “prekja magjike”, pasi nën drejtimin e pinjollit më të fundit të familjes Anjeli fati ndryshoi për mirë.

Tashmë jemi në kuotën 8 tituj radhazi në Serinë A, në dy finale Championsi, në praninë e Kristiano Ronaldos në skuadër, dhe në rritjen e të ardhurave nga 156 milionë euro në 2011, në gati 500 milionë sezonin që shkoi (saktësisht 494 milionë). Duket e pamundur të thuhet, por sërish duhet thënë: Kjo nuk mjafton!

Juventusi është ende prapa “markave globale” si Reali, Barcelona apo Mançester Junajtidi, si dhe nga Bajerni i Mynihut, për të mos folur për superfuqi të vjetra e të reja që po dalin në skenë si Mançester Siti, Liverpuli apo Paris SG. Në Torino kanë një plan 5-vjeçar, një plan që synon t’i afrojë me të ardhurat vjetore të gjigandëve, që arrijnë në gati 1 miliardë euro në sezon, dhe kjo mund të ndodhë vetëm me një model biznesi global. Klubi po kërkon një “Ronaldo të ri”, një lloj “Kilian Mbapeje” që të tërheqë tifozët e rinj në Itali dhe në gjithë botën. Llogaria është që do të duhet të investohen edhe 300 milionë euro të tjëra për ta realizuar këtë projekt deri në vitin 2024.

Sfidanti.al