Jo respekt për kapitenin, Perishiç, Ikardit: Uanda të mbyllë gojën!

Një grua e mirë të bën të lumtur, një tjetër ndoshta “të fut në dhe”. Kështu po i ndodh Mauro Ikardit, që po paguan tek Interi “gjynahet” e së shoqes, Uanda Narës. E mësuar të kritikojë majtas-djathtas, ajo e vendosi të shoqin në një pozicion tepër delikat, nga i cili nuk do të dalë edhe aq mirë.

“Il Korriere delo Sport” shkruan se fjalët e Uandës bënë që të humbiste respekti për Ikardin tek shokët e skuadrës dhe, papritur, kapiteni mbeti i vetmuar. Jo vetëm kaq, por kroati Ivan Perishiç nuk përtoi t’ia thoshte në sy sulmuesit që “thuaji gruas tënde të mos flasë më në TV për mua”. Kjo, pasi Uanda e kishte sulmuar publikisht dhe me emër.

Komenti i gazetës ishte që Ikardi nuk diti kurrë të kishte rolin e kapitenit, dhe as nuk mund t’i afrohej udhëheqësve historikë si Faketi, Piki, Macola, Bergomi apo Zaneti. Ai nuk mundi as të kishte autoritet ndaj gruas, për të mos e lejuar të gabonte, dhe as nuk pati kurajën të fliste hapur para shokëve për gabimet e Uandës. Duket se kritikat e dikurshme të Maradonës, e ndoshta të Mesit, paskan qenë të drejta.

Sfidanti.al