Ja përse Bufoni është një nga më të respektuarit në botë

Ka shumë njerëz që e kritikojnë portierin veteran të Juventusit, Xhanluixhi Bufon, për reagimin e tij të ashpër ndaj gjyqtarit anglez, Majkëll Oliver, që dha një penallti të diskutueshme kundër ekipit të tij në min. e 93-të, duke çuar në eliminimin e Juves nga Champions-i, por ka arsye të tjera, për të cilat edhe tifozët e kundërshtarë i përulën dhe e respektojnë portierin legjendar italian.

Megjithëse kundër tij, mbas ndeshjes në Madrid, u sul e gjithë hipokrizia e futbollit, në rastin e këtij sportisti dhe heroi të madh, ajo përplaset dhe tërhiqet mbrapsht, sepse Bufoni që konsiderohet si një nga portierët më të mirë në botë të të gjitha kohërave, është dinjitoz dhe madhështor, edhe kur humbet dhe, pikërisht, për këtë arsye ai respektohet anekënd botës. Ai, ndoshta, mund ta humbasë edhe titullin e kampionit të Italisë, por dinjitetin atij nuk mund t’ia prekë askush.

Në Torino, në ndeshjen e fundit të Serisë A, kur futbollistët e Napolit festuan fitoren (0-1) ndaj Juventusit dhe kur të gjithë lojtarët juventinë kokëulur shkuan, pa u përshëndetur me asnjeri, drejt dhomave të zhveshjes, Bufoni iu afrua futbollistëve napolitanë që po festonin bashkë me tifozët e vet, dhe ua uroi atyre fitoren. Ja, ky është Bufoni.

Sfidanti.al