Italia shkëlqen, por humb Zaniolon, ylli i Romës 6 muaj jashtë fushe!

Kjo Itali ishte e tillë që do t’i kishte pëlqyer legjendës Johan Krujf, emri e të cilit mban Arena e Amsterdamit ku u luajt ndeshja. Me shtatë ndryshime në krahasim me ndeshjen e barazuar me Bosnjë-Hercegovinën, por sidomos me një mentalitet tjetër, të kaltrit e trajnerit Roberto Mançini hynë në fushë më shumë për të ndërtuar sesa për të prishur, dhe fitorja ishte e merituar. Një fitore minimale në Ligën e Kombeve, por sidomos një provë e mirë, ndonëse Mançini e mori lajmin e keq që në fillim.

Nikolo Zaniolo, talenti i ri sulmues i Romës, pësoi dëmtim për të dytën herë në gju, dhe doli shpejt nga loja. “Frikë për Zaniolon, – titullon “La Gazeta delo Sport”, – sërish dëmtim në gju, frikë për një mungesë prej 6 muajsh. Italia mund Holandën falë golit të Barelës, por ka ankth!” Gjithsesi, kjo është pjesë e futbollit, dhe kryesorja ishte që Italia fitoi dhe e meritoi, sidomos në fushën e një rivali të fortë, që ka ditur të mundë Francën apo Gjermaninë.

Këtë thekson edhe e përditshmja torineze, “Tutosport” që shkruan me shkronja të mëdha “Super Barela, Itali je e bukur”! Spektakël dhe fitore e shkëlqyer në Holandë!” “Tulipanët” me siguri ndjenë mungesat në mbrojtje, të të dëmtuarve De Ligt e De Vraj. Padyshim që Holanda vuajti edhe pasojat e largimit për tek Barcelona të trajnerit Ronaldo Kuman, strategut që krijoi këtë skuadër. Pas këtij suksesi, Italia kryeson grupin në Ligën e Kombeve me 4 pikë, ndaj 3 të Holandës e të Polonisë që fitoi 2-1 në fushën e Bosnjë-Hercegovinës.

Sfidanti.al