Interi ngec në Leçe dhe titulli duket më larg, por Milani fiton me Ibrën!

Të fitosh në tentativën e parë nuk është asnjëherë e lehtë. E ka ditur gjithnjë Antonio Konte, dhe drejtuesit e tjerë të Interit, dhe po kuptohet me nisjen e fazës së dytë të sezonit. Një tjetër ndalesë, sërish barazim 1-1 që e largon edhe më shumë nga pretendimet për titullin, ndonëse Seria A ka edhe shumë ndeshje deri në fund.

Skuadra është po ajo që ka qenë, madje në pritje të 4 përforcimeve të rëndësishme, por duket se ato do të vijnë paksa vonë. Kur Eshli Jang, Kristian Eriksen apo Mozes të bashkohen me zikaltërit diferenca nga Juventusi pritet të jetë e madhe. Barazimi në Leçe u arrit me golat e shënuar nga Bastoni për Interin në 71’ dhe Mankosu për vendasit, 6 minuta më pas. Interi ka 47 pikë në 20 ndeshje, duke qenë vetëm 2 pikë larg Lacios së vendit të tretë.

Nëse skuadra e Kontes nuk ia doli, e kundërta ndodhi me Milanin. Ekipi tjetër i qytetit e pati tepër të vështirë, por gjithsesi fitoi në “San Siro” ndaj Udinezes. Nuk ishte aspak e lehtë, por me Zllatan Ibrahimoviçin në përbërje dhe me përforicmin në mbrojtje, Kjer, kuqezinjtë janë përmirësuar.

Larsen kaloi miqtë në epërsi, por Rebiç dhe Teo Hernandez përmbysën rezultatin. Më pas, Lasanja barazoi sërish, por minuta e tretë shtesë solli golin e fitores 3-2 shënuar po nga Rebiç. Milani ka tani 28 pikë, duke u ngjitur në vendin e 8-të e duke pasur shpresë për Europën, pse jo, sadopak edhe për një kualifikim të pabesueshëm për në Champions. Ku i dihet, me Ibrahimoviçin mund të bëhet gjithçka.

Sfidanti.al