Interi në vend të parë për spektatorë, por tifozët duan titullin

Prej katër vitesh është “kampion i Italisë” për mesataren e spektatorëve në stadium. Interi mund të ndihet i kënaqur me përgjitjen e publikut dhe me të ardhurat e siguruara nga “San Siro”, të cilat vazhdojnë të rriten. Në gjysmën e parë të kampionatit, mesatarja e zikaltërve në ndeshjet shtëpiake ishte 62 281 njerëz me bileta, me një rritje prej 8.3 përqindësh, duke lënë në vend të dytë Milanin (sërish në “San Siro”) me 52 977. Në vend të tretë Juventusi (40 020), që e mbush gjithnjë stadiumin e tij, por që ka kapacitet më të vogël. Gjithsesi, tifozët zikaltër duan fitoren e titullit, dhe jo thjesht këtë sukses.

Mirë edhe Roma, Lacio e Fiorentina, sidomos kjo e fundit që ka rritje mbi 20 për qind të tifozëve në “Artemio Franki” (31 457). Juventusi ka edhe një rekord tjetër, pasi është skuadra me më shumë tifozë në stadium, kur luan në fushë kundërshtare. Rekordin absolut të një ndeshjeje, gjithsesi, e ka derbi Inter-Milan me 78 275 spektatorësh. Seria A, në tërësi, ka rritje të publikut me 3.2 për qind, duke arritur në mesataren 25 500 tifozë për ndeshje.

Sfidanti.al